TALKS Berührungsängste Kambanat e së dielës
sq de en

Kambanat e së dielës

Gjatë përkthimit të romanit "Kafsha e zemrës"
 

Kur u prezantova me temën për të cilën po shkruaj sot, “Berührungsängste”, mendova seriozisht për herë të parë në jetën time, se kur kam  ndonjëherë frikë të madhe (ende pa qenë përkthyese). Jam rritur në një vend ku teorikisht nuk duhet të kishe frikë, dhe aq më pak nuk duhet t’i  tregoje frikërat e tua edhe nëse do të frikësoheshe. Komunizmi nuk i donte frikacakët. Nëse kishe frikë,  atëherë nuk ishe e denjë për shoqërinë. “Njeriu i ri” që krijoi sistemi diktatorial enverist në Shqipëri duhet te ishte i fortë e të mos u frikësohej armiqve të socializmit, që ishin të shumë në paranojën e diktatorit dhe të të gjithë sistemit që e ushqente atë paranojë; armiqtë ishin  të shumtë jo vetëm  rreth kufijve të Shqipërisë së vetë-izoluar; por ata ishin po aq të shumtë edhe brenda vetë sistemit dhe shoqërisë, e cila kishte nevojë çdo ditë të shpikte armiq dhe të ushqente kështu indirekt frikën e popullit nga diktatura e proletariatit. Kjo frikë që nuk duhej rrëfyer kurrsesi ishte vuajtje e madhe. Më e madhe se mund të mendohet.

Erdhi momenti i përkthimit të romanit “Kafsha e zemrës”/ ”Herztier”  nga gjermanishtja në shqip dhe përballja me të m’i përfshiu të gjitha shqisat. Më përfshiu të gjithë kohën. Gjithë ditën, madje  edhe  gjumin e natës.  Ky panik i ankthshëm dhe i pandërprerë startoi pikërisht atë ditë kur u ula para kompjuterit.  Nuk kam ndërmend në këto faqe të shkruara të teorizoj mbi panikun, por do të tregoj përvojën time të paprovuar kurrë më parë, se të ndeshesha më këtë roman të shkrimtares nobeliste Herta Müller. Jo se nuk dua t’u jap rëndësinë që meritojnë atyre që quhen frikëra të profesionit, pasi “Kafsha e zemrës” është një roman i ngritur mbi metafora të fuqishme, ka shumë poezi brenda prozës, ka shumë idioma që herë vijnë nga gjermanishtja e herë nga rumanishtja, shpesh situatat reale përzihen me ato sureale. As nuk do të tregoj për marrëdhëniet e këtij  teksti me gjuhën shqipe. Jo! Do të tregoj se si ky roman e ndikoi aq shumë jetën time, përmes frikës sime. Do të tregoj marrëdhëniet e këtij teksti me mua personalisht. Ky tekst më preku ankthshëm që në fjalinë e parë: “ Kur heshtim bëhemi të pakëndshëm, tha Edgari, kur flasim bëhemi qesharakë.”

Rumania nën regjimin diktatorial të Ceausescu-t ishte njësoj si Shqipëria nën regjimin e diktatorit Hoxha. Personazhet e “Kafshës së zemrës” unë i njihja, ende pa i takuar në atë libër. Ishin të gjithë personazhet e së shkuarës sime. Thjesht atyre u ndryshonin vetëm emrat. Kujtoja se  shumica e tyre kishin vdekur edhe në realitetin shqiptar. Por jo. Ata filluan të jetojnë ditë pas dite në kujtimet e mia, që plekseshin me procesin e përkthimit të përditshëm. Aty ishin të gjallë. Pastaj ndërgjegjësohesha sërish se i takonin së shkuarës, se kishin vdekur. Por vrarja e ndërgjegjes ishte shumë e madhe, që nuk kisha bërë asgjë për t’i shpëtuar. Lola, personazhi kryesor i romanit ishte studente, ashtu si edhe unë në atë kohë. Kemi jetuar të dyja njësoj në një burg të hapur, mes mjerimit të një dhome të vogël studentesh, ku edhe muret kishin sy e veshë,  ku vezët i skuqnim mbi hekurin e hekurosjes,  ku vishnim rrobat e njëra-tjetrës dhe hanim atë pak ushqim të varfër në mensën e studentëve dhe nga altoparlantët propaganda e partisë buçiste që  nga mëngjesi gjer në darkë përmes këngëve dhe marsheve patetike të koreve të klasës punëtore. Lola, studente e dëshpëruar, e depersonalizuar dhe shfrytëzuar nga ai sistem vrastar, vari veten me rripin e fustanit të shoqes së dhomës… Ndërsa unë shumë kohë më vonë, gjatë përkthimit mendoja se mund të kishte qenë rripi i fustanit tim. Ndjesia e përgjegjësisë që s’e shpëtova dot s’më linte të qetë.  Dikur edhe unë isha viktimë si Lola, ndërsa  tani duhet të shndërrohesha në  dëshmitare.  Një kafshë si brejtësi i romanit “Kafsha e zemrës” ishte futur tashmë thellë jo thjesht në zemrën time, por në ndërgjegje dhe po ma brente atë.  U frikësohesha frikërave të mëdha të personazheve dhe përjetoja përmes tyre frikën time të së shkuarës. Përjetoja në vetë të parë frikën e rrëfimtares  së romanit,  të shprehur po në vetë të parë.  Hijet e së shkuarës dhe të diktaturës  nuk silleshin vetëm nëpër rreshtat e tij e as vetëm në kujtimet e mia, por ato endeshin edhe në realitetin tim, që, për ta zotëruar, më duhet të luftoja fort përmes dilemës: “Të heshtja, apo të flisja?”

Nuk duhet vetëm të përktheja, por edhe të rikonceptoja të shkuarën time, nga e cila  duhet të filloja të çlirohesha pak nga pak. Por a gjendej një rrugë  përballjeje me të?  Po. Frika që vjen nga e shkuara nga përjetimet traumatike të saj nuk mund të tejkalohej përmes injorimit të deformimit që solli diktatura edhe në marrëdhëniet shoqërore edhe ato familjare, në depersonalizimin e individit me ndihmën e shtetit.  Frika e ndrydhur brenda palcës ishte origjina e skllavërisë së gjithë kombit  nga diktatorit. Dhuna e tij u rrit mbi frikën tonë. Nuk kishte më ëndrra lirie, por ëndrra të frikshme me spiunë. Në dilemën “të hesht, apo të flas”, nisa të shkruaja:

“Kur linde ti, bijë, ky vend po ndahej me Zotin. Mbi këtë vend po binte mallkimi."

"Po pse, gjyshe? Çfarë do të thotë ‘po binte mallkimi?’"

"Në një vend që nuk bien kambanat, bie mallkimi", më tha. “Ti linde në javën e Pashkës. Po ne nuk i festonim dot hapur festat fetare. Atë natë festuam, duke u fshehur me gëzimin e lindjes sate. Të nesërmen e Pashkës jotëmë të mori me vete dhe të pagëzoi fshehur në një kishë diku në Jug të vendit. Te porta e shtëpisë së Sekretarit të Partisë, atë natë se kush kishte hedhur ca lëvozhga vezësh të kuqe. Lajmi mori dhenë. Qyteti i vogël ishte mbledhur grusht nga paniku. Dhe meqë e kishin spiunuar se ne kishim bërë festë, nënën tënde e thirrën atje, në atë shtëpinë e spiunëve, që e quanin “Komiteti i Partisë së Punës”

-Tregoji partisë," - i thanë, -festuat Pashkën?

- Festuam vetëm lindjen e vajzës.

- Po lëvozhgat e vezëve të kuqe, pse i hodhe në derën e shtëpisë së Sekretarit të Partisë?

- Nuk kam hedhur unë asgjë.

- Po vajzën pse e pagëzove në fshehtësi?

Si dreqin i merrnin vesh ata të gjitha?! Ajo s’iu përgjigj asnjë pyetjeje.

I kishin vënë përpara një letër dhe një laps, që të shkruante emrin e priftit. I thanë se nuk do ta linin të dilte nga ajo dhomë, as për të ushqyer foshnjën, pa shkruar emrin në letër. Dikur, kur po errej dhe ajo, e mbyllur në “Degës së Punëve të Brendshme”, po ndiente dhimbje therëse në gjoks nga qumështi i pa pirë i gjirit; e bashkë me dhimbjet po i ngrihej edhe temperatura. Nga mezi i natës e kishin gjetur shtrirë për tokë, pa ndjenja. Nga spitali erdhi në shtëpi të nesërmen. Ti qave shumë atë natë. Nuk kishim ç’të të jepnim të pije, se ende nuk haje. Mora pak sheqer sa thoi i gishtit të vogël dhe e futa në një cohë të bardhë në formën e kokës së një biberoni dhe sa here qaje ta fusja në gojë, e thithje dhe qetësoheshe. Lusja Zotin që ai pak sheqer të mos mbarohej, derisa të vinte jot ëmë. Ishim shumë të varfër. Dikur u qetësove. Por, as nga qumështi i gjirit nuk pive më. E fute në gojë dhe sërish fillove të qash shumë. E sigurt, ai qumësht ishte hidhëruar. Si dukej, në atë natë torturash psikike, së bashku me gjakun, nënës sate i kishin helmuar dhe qumështin."

 

Frika prej frikës

Kur përktheja “Kafshën e zemrës” kisha frikë se mos  do të transmetoja te personat e tjerë frikën time. Frikë prej vetë frikës.  Se mos lexuesit bashkë me frikën e personazheve do të përballeshin edhe me frikën time. Se mos do të trazoja edhe frikërat e tyre të heshtura e të ndrydhura. Në aktin e përkthimit nuk ishte shkak i frikës, si rëndom ndodh me përkthimet, kontakti me situata të huaja dhe me ngjarje të panjohura. Jo. Ishte frika nga përballja me  ngjarje aq shumë të njohura dhe të këqijat e tyre të mëdha, të cilat unë i kisha groposur në heshtjen e thellë. Dhe jo vetëm unë, por e gjithë shoqëria. Kisha frikë se mos u shtoja frikërave të personazheve edhe frikërat e mia të paçliruara, të cilat i tejkalonin të tyret. Ne këtu në Shqipëri nuk e vramë diktatorin Hoxha, siç bënë rumunët, dhe as gruan e tij mizore (e cila vdiq mbi 90-vjeç para pak muajsh); as bashkëpunëtorët e tyre kriminelë; ne këtu nuk i hapëm dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, siç bëri në Rumani Autoriteti i Zbardhjes së Dosjeve të Sekuritates, apo siç u bë edhe në ish-vendet e tjera të lindjes komuniste. Përballja me historinë e përgjakshmë të diktaturës te ne nuk është bërë ende. E shkuara e ish-funksionarëve të diktaturës u harrua. Ata i retushuan dosjet e tyre dhe fshehën të vërtetën. Disa syresh  shkuan edhe në vende të perëndimit, me dokumente të falsifikuar, si gjoja ish-të persekutuar, e ndërkohë kanë qenë persekutorë.  E kaluara është këtu në vendin tim përmasë e së tashmes, sidomos përmes influencës në pushtet të ish-sigurimit të shtetit. Ata, bashkë me perandorinë e spiunazhit, që përshkruhej përmes faqeve të romanit,  nisën të më frikësojnë sërish.

Një pengesë e madhe m’u shfaq në marrëdhëniet më njerëzit rreth meje.  Kudo hidhja sytë, shihja informatorët e mundshëm. Bashkëpunëtorët. Ishte koha e fëmijëve të ish-sigurimsave. Sipas autores, edhe ata ishin automatikisht bashkëpunëtorë. Sepse netëve të fëmijërisë, putheshin në shtrat dhe ndjenin erën e gjakut. Ndjeja frikë para këtyre situatave që më dukeshin pa rrugëdalje e për pasojë, u mbylla në vetvete dhe në rutinën time, as duke heshtur e as duke folur, por duke shkruar:

Dola para pasqyrës dhe s’po iu besoja syve. M’u duk sikur pashë atë vajzën e vogël të para shumë viteve. Dukesha njëherësh bukur dhe e frikësuar. I qesha t’i jepja zemër. Mora krehrin dhe instinktivisht nisa të kreh flokët, edhe pse s’do të shkoja askund tjetër, veçse në shtrat. Imazhi i ëndërrt i sime gjysheje m’u rishfaq sërish pas shpinës. Sa herë dilja para pasqyrës të bëja dialog me veten, më kujtohej ime gjyshe. Mbaj mend se çdo natë, para se të flinte, diç pëshpëriste.

"Gjyshe, pse flet me zë të ulët?"

"Se këto fjalë kështu thuhen. Nuk duhet t’i dëgjojë njeri."

"Po pse i thua, kur nuk do t’i dëgjojë askush?"

"Ia them Shën Mërisë. Vetëm ajo m’i dëgjon."

"Po çfarë i thua? Pse s'm’i thua mua?"

Pastaj m’u afrua; në dorë mbante diçka të mbështjellë me një batanije fëmijësh. E shtriu mbi krevat, si të ishte fëmijë i vogël që donte kujdes se mos lëndohej. Mbylli perdet e errëta të dritares me një gozhdë të harkuar nga brenda, mbylli edhe derën e dhomës ku flinim të dyja.

"Mirë do të ishte të kishte edhe nga brenda çelës kjo derë e uruar", tha, pastaj më hipi mbi një stol para pasqyrës; m’i shprishi gërshetat që vetë m’i kishte thurur në mëngjes dhe më drejtoi të shihesha në pasqyrë.

"E sheh, sa e bukur je! Kështu do ngelesh gjithmonë, me shpirtin e pastër të fëmijës, nëse do ta duash shumë e do t’i lutesh për natë Shën Mërisë.", më tha dhe ndërkohë hodhi sytë mbas perdeve të errëta të dritares. "Zot, ki mëshirë për ne", shtoi pastaj me zërin që mund t’ia dëgjoja qartë. E kisha hetuar se e përmendte shpesh fjalën “Zot”, edhe ndjente shumë frikë. Dukej sikur kishte frikë se mos e dëgjonte edhe vetë, jo më të tjerët. Tërhoqi edhe një herë derën pranë vetes, si për t’u bindur se nuk hapej, nëse do ta shtynte kush nga jashtë dhe nxori nga poshtë rrobave të sirtarit të fundit të baules së saj diçka të mbështjellë me gazetë. Në letrën e zverdhur shihej qartë portreti i Enver Hoxhës, që përshëndeste me dorën lart dhe gishtat e harkuar para.

"Pupupu", tha e tmerruar, "si nuk e paskam parë, me çfarë e kam mbështjellë?! Edhe kjo na duhet. Të na marrë lumi të  gjithëve pastaj". Nxori nga poshtë gazetës një kavanoz të vogël xhami, mbushur treçerek me ujë dhe sipër me vaj. Në mes të kapakut të verdhë dilte një fitil, bërë nga një kanotiere e grisur. Pjesa më e gjatë e fillit të pambuktë ndodhej brenda në barkun e vazos. Nxori një shkrepëse nga xhepi i fundit të saj të zi. Gjithmonë iu qepte fundeve të saj të gjera nga një xhep të brendshëm. Aty mbante një tufë çelësash të lidhur në një karficë. As sot nuk e di përse i kish gjithë ata çelësa. Ne, asgjë nuk mbanim të mbyllur me çelës në shtëpi, sepse vinin e na kontrollonin shpesh; e vetmja gjë që hapej e mbyllej me çelës ishte baulja e saj. Me shkrepësen ndezi rripin e atij fitili të sajuar, të kandilit, siç e quante, dhe fiku dritën e dhomës.

"Nuk duhet të na shohë njeri", - tha e pastaj u afrua edhe vetë para pasqyrës. Flokët i kishte të hollë e të butë. Të valëzuar nga shprishja e gërshetave, i dukeshin të dendur dhe ia mbulonin supet. Kushedi sa shumë vite kishte që nuk i priste, por vetëm i lante dhe i thurte çdo mëngjes. E hirta e thinjave nën dritën e qiririt e bënte të dukej krejt ndryshe. Ishte një ndjesi që edhe sot kur e kujtoj më mbushet shpirti me një ngazëllim e frikë, që s’di ta shpjegoj. Nga poshtë batanijes nxori një ikonë druri dhe e mbështeti për pasqyre. Para saj gjendej kandili i ndezur.

“Shën Mëria tani do të dëgjojë lutjet tona. Ti do lutesh për herë të parë në jetën tënde. Me zë! Dhe me shpirt! Kurrë mos e harro këtë natë”. E shihja nga pasqyra dhe përballë nesh, nga ikona, na shihte Shën Mëria, brenda një rrethi të florinjtë, ndërsa nga pasqyra, unë dhe gjyshja, si hije, aq sa na lejonte flakëza e kandilit, dukeshim njësoj. Unë mbi stol dhe ajo në këmbë. Ma mori dorën në të sajën dhe më mësoi si të bëja kryqin. Dora më dridhej. Pëshpëriti me zë të ulët fjalët e uratës, dhe unë i përsërita pas saj.

Atë natë ndjeva se diçka ndryshoi në lidhjen time me të, por edhe në gjithë atë çka ishte bota ime, e një fëmije që i mësojnë se si të adhurojë një dashuri e si ta rrisë në fshehtësi. Një dashuri që të jep lumturi të madhe, por edhe frikë të madhe, njëherësh. Askush s’duhet ta dinte se ç’kisha mësuar. Se ç’ kisha bërë. Ç’kisha parë. “Askush”, - më tha ajo, dhe buzët iu drodhën sërish nga një lutje pendimi. “Askush? As mami?” “Jo.”, - më tha prerë, – “As mami.”

Muri i Berlini dhe mure frike që s’kanë rënë

Kishim jetuar si një komb i frikësuar. Kjo kishte ardhur  edhe nga izolimi i madh. Kishim jetuar diktaturën më të egër të ish-bllokut komunist. Kufijtë nuk mund të kaloheshin në asnjë mënyrë. Të vrarët nëpër kufij ishin të shumtë. Shumë prej tyre nuk kanë as varr e as eshtra.  Më keq se në faqet e romanit “Kafsha e zemrës”, kisha parë me sytë e mi prej fëmije të rinj të vrarë në përpjekjen për të kaluar kufirin, që i shëtisnin rrugëve të qytetit për t’i bërë shembull frike. Dhe njerëzit e fshihnin frikën e tyre të madhe, përmes manipulimit, për t’i goditur me gurë. Post mortum  a goditet me gurë i vdekuri? Shqiptari e adhuron të vdekurin. I bën ndere më shume se të gjallit. Ai sistem i dhunoi zakonet më të mira jo vetëm të jetës, por edhe të vdekjes.

Pamundësia ime  për të kuptuar apo edhe treguar ndjesitë e frikës në të shkuarën … nuk duhet të kishte vend më në fshehjen e frikërave të së tashmes. Sado  qesharake që të dukesha, duhet t’i rrëfeja ato.

Muri i Berlinit kishte rënë, por ekzistonte sërish një mur frike, ku e shkuara dhe e tashmja po bëheshin sërish bashkë, dhe po aty bëheshin bashkë dhe shkriheshin në një edhe frikërat e tyre, për të cilat unë nuk mund të heshtja më:

Kontrollori i pasaportës vijoi me të njëjtat pyetje! Si dreqin t’ia bëja për ta mposhtur këtë ndjenjë paniku, sa herë kaloja me pasaportë në dorë përmes këtij muri përballjeje. Muri i Berlinit kishte rënë, por jo muri mes meje dhe atyre njerëzve atje, pas një drejtkëndëshi xhami, që ma zhvishnin privatësinë deri në thelb me pyetje naive: Ku do të shkoni? Pse do të shkoni? Sa do të qëndroni? Ku do flini? Keni rezervuar? Keni adresë? Na e tregoni! Sa lekë keni me vete? Ju pret njeri…

 Cili është qëllimi i udhëtimit tuaj? –më pyetën këtë herë. Atë çast sytë e mi u ndeshën me të kontrollorit të pasaportës. Ai kishte ca sy pa ngjyrë, mes të kaltrës së shuar dhe jeshiles së zbardheme. “Qëllimi? Ah, Herr, doni vërtet ta dini?” - i thashë në gjuhën e tij. Kontrollori u hutua paksa. “Çështje procedure, sehr geehrte Dame. “Sa do të rrini në vendin tonë?” Sa do të rrija? Nuk e kisha menduar këtë pyetje më parë. Biletën e kisha prerë të hapur, pa datë të përcaktuar. “Nuk e di!” – i thashë në mënyrë krejt naive këtë herë. Ai më pa sërish i çuditur! Pas meje njerëzit në radhë po e humbnin durimin. Vështrimit pyetës të kontrollorit iu përgjigja këtë herë me mirësjelljen e kërkuar: Unë po vij në vendin tuaj të njihem me një poet që ka vdekur, dhe po më pret një poet i gjallë…

Kontrollori, me sytë që iu zmadhuan edhe më shumë poshtë syzave pa skelet, ngriti dorën dhe m’u duk sikur do më flakëronte një shuplakë fytyrës, por ai goditi me një vulë të rëndë që zhurmoi fort mbi pasaportën time. “Qëndrim të këndshëm te ne, sehr geehrte Dame!”

Më në fund isha e lirë! Ecja përgjatë rrugës Bernauer Strasse dhe ndieja frikë. Jam rritur në një vend, ku për çdo gjë ndieje frikë. Frikë edhe për të adhuruar zotin e të gjitha dëshirave dhe shpresave të shpirtit. Edhe atë e doja në fshehtësi e me frikë. Ende e ndieja deri në kockë dhimbjen e mosçlirimit prej saj.

Përkthimi i romanit “Kafsha e zemrës”/”Herztier” nuk ndryshoi vetëm frikën time nga prekja e së shkuarës, por  më ndryshoi edhe mua vetë. Uroj të ketë ndryshuar edhe marrëdhëniet  me të shkuarën dhe frikërat prej saj të shumë lexues në shqip… Shpresoj shumë.

22.04.2021
PDF

© privat

Anna Kove është shkrimtare dhe përkthyes e letërsisë gjermane ne shqip. U lind në qytetin e Pogradecit më 25 prill 1968. Studioi “Gjuhë shqipe dhe Letërsi” dhe u diplomua në vitin 1990 në Fakultetin  Filologjik të Universitetit të Tiranës. Në vitin  2004 mbaroi studimet “Master” në Universitetin Europian të Viadrinës në Gjermani “Media dhe shkëmbimi i kulturave”. Anna Kove është autore e disa librave:  "Shën Valentin ku ishe”, “Djegë Ujërash”, “Nimfa e pemës së humbur”, “Kambanat e së dielës”. Kritika e quan shkrimtaren Kove si një nga penat e talentuara të prozës bashkëkohore shqipe. Kontributi i  saj është i pandarë nga ai i përkthimit të letërsisë gjermane, duke sjellë në shqip emra, si: Paul Celan, Herta Mueller, Clemens Meyer, Ilse Aichinger, Rose Ausländer, Daniel Kehlmann, Hermann Broch, Peter Stamm etj. Për krijimtarinë  dhe përkthimet e saj Anna Kove është vlerësuar shpesh me çmime letrare.